29 Mars 2024

Komisioni Evropian miraton konkluzionet e Dialogut Ekonomik-Financiar

Prishtinë, 23 maj - Ministri i Financave Avdullah Hoti, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar  për Programin e Reformave në Ekonomi, mori pjesë në takimin ‘Economic and Financial Affairs Roundtable’, ku së bashku me ministrat tjerë të Rajonit të Ballkanit dhe Turqisë miratuan konkluzionet e përbashkëta të këtij dialogu.

Programi për Reforma në Ekonomi paraqet nivel të rëndësishëm të komunikimit mes Kosovës dhe BE-së, përmes të cilit Kosova raporton mbi Qeverisjen Ekonomike sipas Procesit të Semestrit Evropian i cili synon të përgatisë vendet pjesëmarrëse për arritjen e kritereve të Kopenhagës. Ky dialog është shtylla kryesore mbi të cilën mbështetet përafrimi i qeverisjes ekonomike të shteteve kandidate me atë të BE-së.

Përfaqësuesit e Komisionit Evropian theksuan se përkushtimi dhe angazhimi politik nga të gjitha shtetet e rajonit, është kyç për përmbushjen e obligimeve që dalin nga  ky proces, dhe u evidentua që ato vende që kanë iniciuar reforma ambicioze janë ato vende që kanë rritjen më të madhe ekonomike në rajon. Prandaj, duke i falënderuar vendet për reformat dhe propozimet e tyre, u bë thirrje që të zbatojnë në mënyrë efektive të gjitha reformat e filluara në përgjithësi dhe reformat e propozuara si pjesë e këtij dialogu në veçanti. Kjo me qëllim që të tejkalohen sfidat strukturore me të cilat përballen shtetet e rajonit, për të përafruar kështu qeverisjen e tyre ekonomike me atë të shteteve të Bashkimit Evropian.

Kosova qëndron mirë krahasuar me rajonin në çështjet si niveli i borxhit publik dhe niveli i kredive jo-performuese, ndërkaq mbetet të punohet më tepër në mbikëqyrjen e rregullave fiskale në fuqi. Rajoni në përgjithësi duhet të punojë më tepër në luftimin e ekonomisë joformale, reformimin e sektorit të energjisë, si dhe rritjen e fleksibilitetit të tregut të punës- veçanërisht punësimin e rinisë.

Përfaqësuesi nga Banka Qendrore Evropiane thekson rëndësinë e aprovimit të kornizave makroprudenciale, gjë që Kosova e ka bërë së fundmi, ndërkaq duhet të vazhdohet me avancimin e instrumenteve analitike në shërbim të Bankave Qendrore.

Ministri i Financave Avdullah Hoti në cilësinë e kryesuesit të delegacionit  falënderoi Komisionin Evropian dhe Bankën Qendrore Evropiane për vlerësimin e ERP-it si një dokument kualitativ për nga aspekti analitik. Po ashtu, Ministri Hoti falënderoi KE-në për vlerësimin e tyre që Kosova ka propozuar reforma ambicioze dhe më mirë të strukturuara, gjë që mbështet Kosovën në mbajtjen e normave të rritjes ekonomike ndër më të lartat në rajon.

Vlerësimi i ERP-së dhe rekomandimet përkatëse do të publikohen në faqen zyrtare të Komisionit Evropian pas datës 23 maj, kur planifikohet të miratohen konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)