20 Prill 2024

FMN: Kosova i ka përmbushur të gjitha caqet fiskale

Prishtinë, 26 prill - Në Konferencën për Media të Ministrit të Financave Avdullah Hoti, përfaqësuesit Rezident të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë Ruud Vermeulen, si dhe guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza, në lidhje me pjesëmarrjen e delegacionit të Republikës së Kosovës në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, u bë e ditur se autoritetet e Kosovës mbajtën diskutime me stafin dhe menaxhmentin e lartë të FMN-së në Uashington gjatë Takimeve Pranverore 2017.

Diskutimet kishin në fokus performancën e programit dhe masat e nevojshme për të siguruar përmbyllje të suksesshme të programit.

Me këtë rast, ministri i Financave Avdullah Hoti theksoi se  është shumë optimist për përmbylljen me sukses të Programit me FMN-në dhe gjithashtu për mbështetjen që do të marr Kosova nga Banka Botërore për 5 vitet e ardhshme.

Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se gjatë takimeve pranverore me stafin dhe menaxhmentin e lartë të FMN-së në Uashington, kemi diskutuar për tri çështje kryesore, e para për programin ekzistues i cili duhet të mbarojë gjatë muajve të verës, e dyta ideja për një program të ri me FMN-në, si dhe çështja e tretë Pakoja e dytë fiskale.

Sa i përket çështjes së programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ministri  Avdullah Hoti bëri të ditur se “ Siç e dini ne e kemi përfunduar me shumë sukses rishikimin e dytë dhe të tretë të këtij programi, dhe si rezultat janë disbursuar mjetet prej 100 milionë euro në buxhetin e shtetit”.

“Kemi arritur të plotësojmë të gjitha kushtet e nevojshme për rishikim e dytë dhe të tretë, sa i përket bilancit bankar, shpenzimeve rrjedhëse, deficitit buxhetor dhe kriteret të tjera që parashihen në program. Dhe kjo normalisht ka ardhur si rezultat i performancës shumë të mirë ekonomike që kemi pasur në vend, sa i përket të hyrave dhe menaxhimit të rregullt të shpenzimeve. Të gjitha institucionet, Qeveria, Ministritë e ndryshme, Parlamenti i Kosovës, Agjenci të pavarura, e kanë kryer punën e tyre për sa i përket përmbushjes së kritereve të Programit me FMN-në, për të cilat dëshiroj t’i falënderoj shumë sinqerisht ”, shtoi Ministri Hoti.

Ai gjithashtu theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës pret që edhe rishikimin e katërt  të programit me FMN-në ta përfundojmë me sukses, i cili do të duhet të ndodhë gjatë muajve të verës.

“Janë dy kushte specifike për të përmbyllur me sukses Programin me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e para është Ri-klasifikimi i Veteranëve të Luftës në përputhje me Ligjin që është amandamentuar në  dhjetor të vitit të kaluar. Unë besoj se kjo punë duhet të fillojë sa më shpejtë për shkak se kushti i FMN-së është që të kryhet deri në fund të muajit maj. Dhe kushti i dytë është Amandamentimi i Ligjit për Invalidët e Luftës, me që rast do të barazohet shkalla e invaliditetit të veteranëve të luftës me shkallën e invaliditetit të qytetarëve të tjerë. Por, me një diferencë të konsiderueshme në pensione që marrin invalidët e luftës duke e marrë një pension dukshëm më të lartë sesa qytetarët e tjerë të kësaj kategorie” shtoi Ministri Hoti.

Ndërsa, sa i përket çështjes së idesë për një program të ri me FMN-në, pasi që të përmbyllet me sukses programi ekzistues, ministri Avdullah Hoti tha se “Qëllimi i këtij programi është të mbajmë rezultatet shumë të mira që kemi  arritur deri më tash në zhvillimin ekonomik, në performancën e të hyrave, në menaxhimin e bilancit bankar, deficitin buxhetor dhe çështje të tjera dhe në veçanti të koncentrohemi në rishikimin e skemave sociale dhe skemave pensionale, të cilat absorbojnë diku 1/3  të pjesës koherente të shpenzimeve buxhetore.  Edhe këto dëshirojmë që ti rregullojmë ashtu siç i kemi rregulluar shpenzimet të tjera koherente, siç janë pagat apo shpenzimet e tjera”. 

Sa i përket çështjes së tretë e cila është diskutuar  me FMN-në, ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se “Çështja e tretë që kemi diskutuar me FMN-në është Pakoja e dytë fiskale, e cila është diskutuar gjerësisht me biznesin dhe me shoqërinë në përgjithësi”.

“Unë me kënaqësi e them që në pikat më të mëdha të kësaj pako fiskale, ne kemi një qëndrim të përbashkët me FMN-në. Në nivele teknike jemi duke punuar për ti përafruar qëndrimet në dy – tri çështje për të cilat FMN-ja ka disa opinione që mund të adresohen të njëjta si objektivë por me një qasje pak më të ndryshme për të ruajtur integritetin e sistemit tatimor që ka vendi ynë. Besoj që në ditët e ardhshme do ti dakordojmë edhe këto çështje me FMN-në, në mënyrë që Qeveria e Republikës së Kosovës të ecë përpara me aprovimin e kësaj pako dhe pastaj edhe fuqizimin një nga një të masave të pakos fiskale. Me aprovimin e kësaj pako dhe pastaj edhe fuqizimin një nga një të  masave të pakos fiskale”, shtoi Ministri Hoti.

Ministri Avdullah Hoti theksoi gjithashtu se përveç, takimeve me FMN-në kanë pasur takime të ngjeshura edhe me Bankën Botërore me nivele të larta të Menaxhmentit të Bankës Botërore.

“Dëshiroj që të përmendi dy çështje specifike të cilat i kemi diskutuar me Bankën Botërore: E para është Strategjia e re për Kosovën, Korniza e re strategjike që Banka Botërore së shpejti do ta aprovoj në organet e saj për Kosovën për 5 vitet e ardhshme, ku parashihet një mbështetje 240 milionë dollarë amerikan për Kosovën në kuadër të kësaj pakoje dhe pastaj është një pjesë e konsiderueshme që vjen nga Korporata Financiare Ndërkombëtare, që është në shumën 60 milionë dollarë që i jepet Kosovës për mes mbështetjes së sektorit privat. Ne e kemi një portfolio shumë të shëndoshë me Bankën Botërore sa i përket efekteve të projekteve që i financon Banka Botërore dhe në shlyerjen rregullt të obligimeve që kemi si Qeveri karshi Bankës Botërore”, shtoi Ministri Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se çështja e dytë që është diskutuar me Bankën Botërore është projekti i “Kosovës C”.

“Ne po presim që sapo Ministria e Zhvillimit Ekonomik të përmbyllë disa detyrime që i ka në përgatitjen e marrëveshjeve të ndryshme komerciale me kompaninë që është shpallur fituese, dhe në përmbushjen e kushteve të tjera teknike sa i përket studimeve të ndryshmeve të fizibilitetit për miniera dhe çështje të tjera, Banka Botërore është e gatshme që të mbështes këtë projekt shumë të rëndësishëm për stabilitetin energjetik të Kosovës”, shtoi Ministri Hoti. 

Ndërsa, përfaqësuesi Rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë Ruud Vermeulen bëri të ditur se  “Performanca në kuadër të programit të mbështetur nga Fondi vazhdon të jetë e fortë. Autoritetet i kanë përmbushur të gjitha caqet fiskale për fundin e muajit mars, si dhe janë të bindur se deficiti i buxhetit në vitin 2017 do të mbahet në kuadër të limiteve të rëna dakord. Sistemi bankar është i shëndoshë, me nivel solid të kapitalit dhe likuiditetit, me kredi joperformuese në nivelin më të ulët historik, si dhe kanë shënuar fitime të qëndrueshme. Reformat strukturore në fushën e zbatimit të kontratave dhe prokurimin publik janë duke avancuar, gjë që do të ndihmojë në zhbllokimin e kredive bankare dhe do të përmirësojnë mjedisin e biznesit”.

“Është kritike që ky progres të vazhdojë dhe që autoritetet t’i realizojnë të gjitha masat e mbetura për të siguruar përmbyllje të suksesshme të programit. Në veçanti, kjo do të kërkojë: Riklasifikimin e veteranëve të luftës deri në fund të muajit maj, pas shpalljes nga Presidenti të Ligjit për veteranët e luftës, me ndryshime e plotësime. Për ta ruajtur integritetin e procesit të pritur, riklasifikimi duhet të bazohet në vlerësime të besueshme të kohëzgjatjes së shërbimit të veteranëve gjatë luftës, si dhe Ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për invalidët e luftës deri në mes të muajit maj, ashtu që kriteret për kualifikim për invaliditet të luftës të jenë në përputhje me ato të aftësisë së kufizuar civile. Harmonizimi i kritereve do të sigurojë paanshmëri dhe barazi në trajtim” shtoi përfaqësuesi Rezident i FMN-së  Ruud Vermeulen. 

Sipas tij, këto masa do të sigurojnë që shpenzimet në skemat e përfitimeve të lidhura me luftën të jenë të qëndrueshme, duke liruar kështu hapësira për shpenzime më të larta në fusha prioritare siç janë arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura.

Përfaqësuesi Rezident i FMN-së  Ruud Vermeulen  gjithashtu bëri të ditur se “Në Uashington është rënë dakord se do të jetë thelbësore që veprimet të merren brenda periudhës së paraparë kohore meqë programi do të përfundojë vetëm pas pak muajsh. Përfundimi i suksesshëm i programit do t’i përforconte rezultatet e arritura me vështirësi përgjatë dy viteve të fundit”.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza bëri të ditur se “Si rezultat i përmbushjes së kritereve është kryer me sukses rishikimi i dytë dhe i tretë i programit të FMN-së, është përfunduar disbursimi i mjeteve. Sektori financiar i ka përmbushë të gjitha obligimet që kanë dalë si rezultat i kësaj Marrëveshje”.

“Këtë sektor për këtë periudhë e kanë karakterizuar ecuri pozitive nëse i referohemi indikatorëve financiar kemi rritje të depozitave dhe kredive dy shifrorë. Kreditë joperformuese janë në nivelin më të ulët të tyre historik janë 4.5 % janë mirë të provizionume  dhe kemi pas edhe një reflektim në normën e interesit, ku norma mesatare ka rënë dhe tashmë është në mesataren e vendeve të regjionit”, shtoi guvernatori i BQK-së Bedri Hamza.

Ai bëri të ditur se në përgjithësi sektori financiar ka një performancë të mirë, trendët pozitive vazhdojnë dhe besoj që do të vazhdon që të jetë një prej kontribuuesve të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit.

Guvernatori i BQK-së Bedri Hamza theksoi se beson fuqishëm në përmbushjen e kritereve të mbetura për rishikimin e fundit të Programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Kosova do të vazhdoj me historikun e mirë me përmbylljen e suksesshme të Programit me FMN-në dhe krijimin e parakushteve për programe të reja, me qëllim të adresimit dhe zhvillimit të reformave bashkërisht me FMN-në sepse ne e dimë që Kosova ka një situatë makro fiskale të qëndrueshme dhe ka një sistem të qëndrueshëm financiar. Prandaj, është një sukses i përbashkët i të gjitha institucioneve dhe sigurisht që ne jemi të vetëdijshëm që kemi shumë punë para vetes edhe në zhvillimin e reformave, në përmirësimin e ambientit të përgjithshëm dhe në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm”, shtoi guvernatori i BQK-së Hamza.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)