20 Prill 2024

Kusari – Lila: Diaspora fuqia më e madhe investuese që ka Kosova

Prishtinë, 30 mars - Nën organizimin e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim dhe Institutit për Menaxhim dhe Zhvillim, sot u bë hapja e projektit “Diaspora për zhvillim”.

Në këtë takim, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari - Lila prezantoi punën e ministrisë të cilën ajo e drejton për ofrimin e mundësive për investime nga Diaspora.

Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, që vepron në kuadër të MTI-së, është duke punuar për mundësinë e regjistrimit të bizneseve në vendet ku ka pronarë kosovarë si: Zvicër, Gjermani, Amerikë dhe Turqi.

Këto të dhëna do të përdoren për promovimin e investimeve brenda Kosovës. Përveç kësaj, gjatë këtij viti 2012, Agjencia për Promovimin e Investimeve, në kuadër të MTI, do të organizojë disa konferenca në shtetet me koncentrim më madh të diasporës kosovare.

Qëllimi i këtyre konferencave do të jetë promovimi i investimeve si dhe informimi i diasporës për lehtësimet dhe reformat e të bërit biznes në Kosovë.

Zv. Kryeministrja Kusari – Lila gjatë fjalimit të saj përmendi edhe reformat e të bërit biznes, për të cilat tha: “Biznesmenët kosovarë të diasporës sot mund të shohin se  regjistrimi i biznese në Kosovë është më i lehtë, më i lirë dhe merr më pak kohë sesa vetëm disa muaj më parë; procedurat e eksportit dhe importit për mallrat në Kosovë janë reduktuar dukshëm; një numër i konsiderueshëm i licencave të ndërtimit është eliminuar ndërkohë që në fushën e zbatimit të kontratës janë bërë përmirësime të dukshme përmes ligjeve të cilat rregullojnë procedurat përmbarimore, noterisë dhe kadastrës”.

Qëllimi kryesor i projektit katër vjeçar “Diaspora në zhvillim”, të prezantuar sot, është të stimulojë diasporën që të investojë burimet (njohuritë, eksperiencën dhe financat) në nismat sociale dhe ekonomike në Kosovë.

Me qëllim të përkrahjes së këtij projekti dhe në veçanti të përkrahjes së investitorëve nga Diaspora, ministrja Kusari- Lila tha se deri më tani janë nënshkruar disa marrëveshje për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve me disa shtete në të cilat jetojnë një numër i konsiderueshëm i kosovarëve.

“Deri më tani është nënshkruar marrëveshje me Zvicrën ndërkohë që është bërë inicimi i marrëveshjeve me 12 shtete (Britania e Madhe, Hungaria, Italia, Holanda, Kroacia, Japonia, EBA, Kuvajti, Katari, Norvegjia, Franca dhe Mali i Zi). Marrëveshjet me Turqinë dhe Kroacinë janë afër nënshkrimit. Këto marrëveshje mundësojnë transferim të lirë të mjeteve duke përfshirë këtu kapitalin fillestar, fitimet, promovimin reciprok të investimeve, si dhe zgjidhjet të kontesteve eventuale që kanë të bëjnë me investimet e nga këto vende”- theksoi ajo.

E fundit dhe mjaft e rëndësishme është rregullimi i tregut për të mbrojtur investimet nga konkurrenca jo-lojale. E për këtë çështje, paketa ligjore që është kaluar nga MTI-ja, mbron investitorët dhe bizneset nga masat eventuale të dampingut, deformimet e tregut dhe konkurrenca e pandershme.

Nën praninë e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, ministrit të Diasporës, ambasadores Zvicerane në Kosovë, përfaqësuesve të biznesit u bë prezantimi i objektivave dhe qëllimeve të këtij projekti. Qëllim kyç, sipas tyre, është lehtësimi i thellimit të marrëdhënieve të qëndrueshme, zhvillimit dhe promovimit të politikave investuese me interes të përbashkët në mes të Diasporës dhe Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)