18 Prill 2024

Bujqësia si një biznes

Prishtinë, 16 mars - Për përmirësimin e biznesit për fermerët dhe krijimin e kushteve më të mira për agrobiznese, sot u diskutua edhe në konferencën “Bujqësia si një biznes”, e cila u organizua nga Intercooperation dhe instituti Riinvest.

Një prej çështjeve që u trajtua në këtë konferencë, që kishte të bënte me shtimin e aktiviteteve ekonomike në bujqësi dhe me mundësitë për ta bërë më atraktiv agrobiznesin, ishte edhe formalizimi i bizneseve të fermerëve.

Biznesi është shtylla e ekonomisë së secilit shtet, tha ministri Stavileci, dhe mundësitë reale që kemi për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik është edhe shfrytëzimi i mundësive që ofron sektori i bujqësisë.

“Sektori i bujqësisë është shumë i varur nga industria e agropërpunimit dhe për të krijuar një industri ushqimore konkurruese, veprime specifike që po zbatohen në kuadër të masave tona janë edhe përkrahja e modernizimit dhe ristrukturimit të sektorit të agropërpunimit, rritja dhe zgjerimi i prodhimeve me vlerë të shtuar që përmbushin standardet ndërkombëtare të higjienës, sigurisë dhe cilësisë së ushqimit për konsumatorët, etiketimi i prodhimeve cilësore të përpunuara dhe të freskëta, pastaj përmirësimi i efikasitetit dhe marketingut të produkteve bujqësore dhe veprime të tjera që paraqesin metoda të reja dhe efektive të prodhimit dhe që çojnë drejt arritjes së kërkesave të Bashkimit Evropian”, deklaroi Stavileci.

Ai tha se shumicën e inputeve dhe pajisjeve bujqësore i kanë liruar nga TVSH-ja dhe tarifat doganore dhe pjesë e përpjekjeve të ministrisë për të krijuar ende lehtësira janë edhe kërkesat dhe propozimet e reja që kanë të bëjnë me pakon e re fiskale, e cila parasheh përshkallëzimin e TVSH-së për produktet bujqësore vendore që për destinim kanë industrinë përpunuese dhe tregun.
   
Ndërsa, përfaqësuesi i zyrës zvicerane për bashkëpunim në Kosovë, Neils Roseman, tha se duhet të promovohet sektori i bujqësisë si sektor i përshtatshëm për të bërë biznes, sepse ka perspektivë shumë të mirë në periudha afatgjate.

“Fermerët nuk duhet të prodhojnë vetëm për nevojat e tyre, por edhe për tregjet lokale, rajonale dhe ndërkombëtare. Siç e dini, projekti ynë për promovimin e hortikulturës është një ndër projektet më të mëdha në këtë vend dhe numri i prodhuesve të prodhimtarisë së integruar është trefishuar në vitin 2011”, tha Roseman.

Në anën tjetër, Nora Gola nga projekti për promovimin e hortikulturës i organizatës Intercooperation tha se përfitimi më i mirë nga formalizimi i bizneseve të fermerëve është edhe çasja më e lehtë në tregjet me vlera më të larta, në të cilat kërkohet faturim i saktë, regjistrim i biznesit dhe pagesa në mënyrë formale.

“Mbajtja e regjistrimeve është një hap vital në procesin e vendim-marrjes, të cilat ju nevojiten fermerëve si informacion për të vendosur lidhur me kulturat dhe aktivitetet e ardhshme që ofrojnë të ardhura maksimale dhe kjo bëhet edhe për një planifikim më të mirë financiar”, tha Gola.

Të gjithë personat që synojnë të angazhohen në aktivitete ekonomike për fitim duhet ta regjistrojnë biznesin e tyre në institucionin përkatës.

Ky regjistrim është falas dhe nuk ka nevojë të përtërihet vit për vit. Ndërsa, për të përfituar nga përkrahja e Ministrisë së Bujqësisë, fermerët individual kur të aplikojnë për subvencione dhe grante investive duhet të regjistrohen nëpër drejtoritë bujqësore të komunës së tyre.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)