19 Prill 2024

Të drejtat e pakicave mundësi për rregullimin e marrëdhënieve etnike në Kosovë

Prishtinë, 17 nëntor - Ekziston një perceptim i përhapur në  Kosovë se të drejtat e pakicave janë asgjë më tepër se ‘kompromise ad hoc’.

Të ballafaquar me një qeverisje në shumë nivele nga administrata ndërkombëtare, udhëheqja politike e Kosovës dhe institucionet e saj kanë përqafuar diskursin e të drejtave të minoriteteve si një çmim që duhet paguar për shtetësinë e Kosovës; megjithatë, ata nuk i kanë konsideruar ato as si domosdoshmëri për zhvillimin demokratik të Kosovës e as si mundësi apo sfidë për të riparuar marrëdhëniet etnike në Kosovë.

Diskursi mbizotërues ishte që ata, shumica në Kosovë, pra shqiptarët e Kosovës, kanë vuajtur së tepërmi gjatë dekadës së fundit, dhe për këtë duhet fajësuar serbët e Kosovës.

Më tej, serbët e Kosovës janë perceptuar si kolonë ‘e pestë’ e shoqërisë kosovare, ‘të cilët ka të ngjarë se janë duke punuar për armikun’ e Kosovës, Serbinë.

Në publikimin e ri të Institutit Kosovar të Paqes (KIP) argumentohet se pa de-sigurizimin e marrëdhënieve etnike në Kosovë dhe pa vendosjen e përfaqësimit të drejtë të komuniteteve pakicë në jetën publike, demokracia nuk do të jetë e qëndrueshme në Kosovë.


Adem Beha, autor i studimit dhe drejtor i programeve në KIP, deklaroi:  se "ndonëse udhëheqja politike ka përvetësuar diskursin e të drejtave të pakicave, veçanërisht si rezultat i pranisë tejzgjatur ndërkombëtare në Kosovë, gatishmëria për të zbatuar plotësisht dhe pa kushte të drejtat e pakicave në Kosovë është e pakënaqshme.

"Pretendimet për të drejtat e pakicave ishin perceptuar si tendenca agresive ndaj institucioneve dhe më vonë ndaj shtetit të ri të pavarur të Kosovës. Marrëdhëniet antagoniste ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë formësuar trajtimin e pakicave në Kosovë, sidomos të serbëve", ka theksuar ai.
 
Nevoja për de-sigurizimin e marrëdhënieve etnike mbetet imanente në Kosovë. Kjo paradigmë se serbët e Kosovës duhet të ‘paguajnë’ për padrejtësinë historike që kanë pësuar shqiptarët e Kosovës, në veçanti gjatë dekadës së fundit, neglizhon atë se thelbi i konfliktit në Kosovë nuk ishte ndërmjet serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës, por ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe autoriteteve të Serbisë, e cila kishte shfrytëzuar të gjitha strategjitë shtrënguese në dispozicion për të shkelur të drejtat themelore të njeriut të shqiptarëve në Kosovë. Autoritetet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm që të mos e trajtojnë pakicën serbe të tyre në të njëjtën mënyrë siç kishin trajtuar autoritetet serbe pakicën shqiptare më herët.

Si implikim për politikat, propozoj që autoritetet në Kosovë të mbështesin një shpërndarje të drejtë të të drejtave dhe burimeve në mesin e të gjitha komuniteteve pakicë në Kosovë, përfshirë serbët. Kjo rrit në mënyrë të konsiderueshme legjitimimin e sovranitetit akoma të kontestuar të Kosovës.
 

Beha, po ashtu shtoi se "akoma shumë mbetet të bëhet në të gjitha pjesët e Kosovës në drejtim të zbatimit të dispozitave të Ahtisaarit. Strukturat paralele të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës duhet të braktisen dhe duhet të vendosen institucione të lira dhe legjitime, përmes zgjedhjeve të lira dhe të drejta. \

Dispozitat dhe të drejtat, të cilat janë të garantuara me legjislacionin e Kosovës, për dygjuhësinë, përfaqësimin proporcional të komuniteteve pakicë në ndërmarrjet dhe institucionet publike, kthimin dinjitoz të personave të zhvendosur dhe anti-diskriminimin, duhet të zbatohen në Kosovë"

 
Megjithatë, disa pengesa kanë kontribuar në moszbatimin e plotë të të drejtave të pakicave në  Kosovë, të cilat duhet të adresohen në të ardhmen e afërt:
a) kontestimi i shtetësisë së Kosovës nga ana e serbëve lokalë, veçanërisht atyre që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës;

b) mungesa e vullnetit politik të udhëheqjes politike në Kosovë për të zbatuar të drejtat e pakicave dhe për të kapërcyer diskursin etnocentrik;

c) krimet e luftës dhe pajtimi i vërtetë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, d) mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë; d) mungesa e fondeve të mjaftueshme për të zbatuar masat pozitive për zbatimin e të drejtave të pakicave në Kosovë. Pa adresuar këto sfida, nuk është i mundur kurrfarë zbatimi i mirëfilltë i të drejtave të pakicave në Kosovë.

Instituti Kosovar i Paqes konsideron se për të përqafuar plotësisht të drejtat e pakicave në Kosovë, përfshirja dhe angazhimi proaktiv i udhëheqjes politike të Kosovës ndaj komuniteteve pakicë është thelbësore, pasi që pa mbrojtjen e minoriteteve në Kosovë nuk është e mundur as një demokraci e qëndrueshme dhe e as ndërtimi efektiv i institucioneve.

Të drejtat e pakicave nuk duhet të konsiderohen si politika të imponuara për të përmbushur standardet ndërkombëtare, por si një ‘dritare e mundësive’ për të mundësuar konsolidimin e një shoqërie demokratike të drejtë dhe fer në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)