28 Mars 2024

Në prill nis ndërtimi i Akademisë Kosovare për Lidership

Mitrovicë, 10 janar - Angazhimi i madh dhe i pandërprerë i drejtuesve të organizatës joqeveritare “Global Neighbors” nga SHBA-ja dhe kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka bërë që projekti për hapjen e Akademisë Kosovare për Lidership në Mitrovicë të bëhet realitet.

Këtë e konfirmoi  dr. Donald Trott, asistent i presidentit të organizatës joqeveritare “Global Neighbors”, gjatë një takimi që zhvilloi të enjten me kryetarin Kastrati.

Ai tha se është bërë një punë e madhe pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimi për themelimin e kësaj akademie në korrik të vitit 2011.

“Janë siguruar fondet në mënyrë që në prill të këtij viti të vihet gurthemeli për ndërtimin e objekteve të nevojshme për këtë institucion”.

Dr. Donald Trott, ka vlerësuar punën e jashtëzakonshme të të parit të komunës, i cili sipas tij, ka krijuar kushtet dhe mundësitë që projekti të nis sivjet. “Jemi shumë të inkurajuar me angazhimin  e kryetarit Kastrati, i cili është duke bërë një punë të mrekullueshme për Mitrovicën”.
 
Duke sqaruar më tepër për projektin,  ai tha se vlera e investimit do të jetë rreth 6 milionë dollarë. “Do të jetë një shkollë unike në Kosovë dhe si  e tillë do të ofroj një nivel të lartë edukimi që do të dallohet në gjithë vendin”.

Ai sqaroi se në këtë akademi do të pranohen rreth 500 nxënës, prej klasës së 1 deri në klasën e 12. “Do të respektohen rregullat dhe ligjet kosovare sa i përket edukimit, por sistemi i punës do të jetë amerikan”.

 Dr. Trott, tha se nxënësit që do të regjistrohen në këtë akademi do të paguajnë, përderisa menaxherët do të përkujdesen për bursa dhe mbështetje për të suksesshmit.

Sa i përket stafit që do të punoj në këtë akademi, ku do të mësohet në gjuhën shqipe, angleze dhe atë serbe nëse ka kërkesa, ai tha se fillimisht do të angazhohen mësimdhënës amerikanë, ndërsa më vonë do të trajnohet stafi vendor.

Kryetari Kastrati, ka falënderuar drejtuesit e kësaj organizate për këtë projekt, që do të ndihmoj këtë komunë në ofrimin e një mundësie unike për fëmijët mitrovicas.

“Mitrovica si pasojë e rrethanave politike ka trashëguar shumë probleme në fushën e arsimit, ndërsa ky projekt është në vazhdën e punëve të mëdha që po bëhen në përmirësimin e situatës”.

Tha se ndihma nga institucionet dhe qeveria amerikanë kanë qenë të vazhdueshme për Mitrovicën, ndërsa projekti për Akademinë për Lidership, përbën një prej investimeve më të mëdha në fushën e arsimit në këtë komunë.

Në këtë drejtim ai shprehu gatishmërinë e plotë të komunës për të plotësuar obligimet që dalin nga memorandumi i bashkëpunimit.

Komuna e Mitrovicës ka ndarë 2.5 hektarë për këtë shkollë dhe do të ofroj mbështetje edhe për ndërtimin e objekteve përcjellëse, mandej do të rregulloj infrastrukturën e nevojshme si rrugën, kanalizimin etj

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)